Kriteret dhe procedura e përzgjedhjes së aktiviteteve dhe projekteve për kërkim shkencor:

Kriteret

Kriteri kryesor i përzgjedhjes për stafin e brendshëm të Kolegjit Universitar “Qiriazi” është bazuar në aktivitetet shkencore si pjesëmarrje në konferenca, botime dhe projekte në nivel të njësisë bazë dhe njësisë kryesore.

Në dakordësi me prioritetet buxhetore të kërkimit shkencor Bordi vë në dispozicion të financimit të projekteve 2.5% të buxhetit duke e ndarë këtë shifër në 1.2 % të buxhetit të parashikuar për kërkim shkencor (konferenca, botime) dhe 1.3 % për pjesëmarrje në projekte kërkimore shkencore.

Kjo ndarje mund të modifikohet në varësi të rëndësisë që merr një projekt në kushtet specifike.

Ndërkohë për kërkues si individë të jashtëm, Bordi i Administrimit ia kalon Senatit Akademik të Kolegjit Universitar “Qiriazi” listën për të mundësuar klasifikimin e projekteve dhe analizuar impaktin që ato japin në rritjen e shkollës kërkimore në Kolegjin Universitar “Qiriazi”.

Procedura

Përgjithësisht financimet kryesore për kërkimin shkencor që kanë të bëjnë me aktivitete si organizim konferencash shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, bëhen nga njësitë bazë dhe ato kryesore, duke u përcjellë drejtpërsëdrejti në Zyrën e Financës. Kjo ndodh sepse këto aktivitete janë parashikuar në Programin Financiar të vitit përkatës, duke sjell alokimin e fondeve në mënyrë automatike.

Për nevoja që dalin jashtë zërave të buxhetit apo struktura në nivel institucional, struktura përkatëse i bën kërkesë Administratorit të Përgjithshëm për financim duke i paraqitur rëndësinë e kërkesës dhe evidencat e nevojshme. Administratori i Përgjithshëm ia paraqet këtë kërkesë Bordit të administrimit dhe ky i fundit miraton ose jo financimin përkatës, mbasi ka shqyrtuar në mbledhjen e tij të radhës kërkesën.