Gjokë Uldedaj, President i Kolegjit Universitar Qiriazi

Presidenti i Kolegjit Universitar Qiriazi, Gjokë Uldedaj, përfaqëson një personalitet që ndërthur në profilin e tij profesional një aktivitet të gjërë dhe intensiv në një numër sferash të jetës së përditshme që përfshijnë eksperienca që nga bota akademike e deri tek ato të botës së biznesit dhe politikës.

Për shkak të përvojës së tij të gjërë në botën akademike, profesor Gjokë Uldedaj, njeh mirë mënyrën dhe mekanizmat e funksionimit të Kolegjit Universitar Qiriazi si institucion i arsimit të lartë, dhe po ashtu, në funksionimin e përditshëm të institucionit ai ka një sens të fortë të problemeve dhe nevojave më të cilat përballet Kolegji Universitar Qiriazi. Profesor Uldedaj ka një eksperiencë akademike që fillon me Universitetin Bujqësor të Tiranës, nga ku ai është diplomuar “Doktor në Shkencat Ekonomike,“ dhe vazhdon në një numër institucionesh të arsimit të lartë vendas dhe të huaj.

Prof.As.Dr Gjokë Uldedaj jep një kontribut të rëndësishëm në funksionimin, veprimtarinë, dhe marrëdhëniet që karakterizojnë Kolegjin Universitar Qiriazi për shkak të eksperiencës dhe marrëdhënieve të gjëra që karakterizojnë veprimtarinë e tij në raportet me botën e biznesit dhe të politikës. Eksperienca në këto dy sfera e ndihmon Gjokë Uldedaj të vendosë dhe zhvillojë marrëdhënie profesionale, korrekte, dhe me dobi të dyanshme me një numër institucionesh publike dhe private.

Eksperienca e tij nga  viti 2010 si President i Qëndrës për Dialog mes Biznesit dhe Parlamentit Shqiptar, antarësia e tij në një numër Forumesh Ekonomike Kombëtare dhe Ndërkombëtare, si dhe marrëdhëniet intensive me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës nga pozita e antarit dhe Kryetarit të saj (2007-2009), i mundësojnë Presidentit Gjoka lehtesi dhe efektivitet  ne vendosjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit  mes Kolegjit Universitar Qiriazi dhe bizneseve, kompanive, apo institucioneve që operojnë në fushën e ekonomisë, tregtisë, prodhimit, teknologjisë, dhe informacionit.

Ndërsa eksperienca e  tij në botën politike si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë 2009-2013 për Qarkun Shkodër, qënia antar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financës të Kuvendit të Shipërisë (2009-2013), si dhe aktiviteti politik i udhëhequr nga filozofia liberale e tregut dhe demokracisë, i kanë mundësuar Gjokë Uldedaj në pozicionin e Presidentit të Kolegjit Universitar Qiriazi të kontribuojë jo vetëm në ngritjen dhe funksionim e Kolegjit Universitar Qiriazi mbi baza ligjore të shëndosha, por edhe të ndihmojë institucionin në përballjen dhe zbatimin me sukses të gjithë politikave, reformave, dhe standarteve që janë ndërmarrë dhe vendosur në fushën e arsimit të lartë.

Gjokë Uldedaj ka lindur në Shkodër në 1959, është i martuar, dhe ka 4 fëmijë.