Kolegji Universitar Qiriazi përfaqëson një ndër institucionet e para arsimore në historinë e zhvillimit të arsimit në Shqipëri. Historia e tij fillon në vitet 20-të të shekullit të kaluar, provon pasojat e frymës ideologjike e politike të kohës, dhe sot shfaqet i rilindur dhe me frymëmarrje të re.

INSTITUTI FEMËROR KYRIAS (1922)

Rrënjët e Kolegjit Universitar Qiriazi shkojnë prapa në vitin 1922, kur Parashqevi Qiriazi (1887-1971), Sevasti Qiriazi (1871-1949), dhe Kristo Dako (1876-1941) themeluan Institutin Femëror Kyrias. Ky institut u ngrit për të nxitur emancipimin, arsimimin, barazinë gjinore, të drejtat si individ, dhe fuqizimin e statusit dhe rolit shoqëror e politik të gruas shqiptare. Ai ishte vazhdim dhe pasqyrë e traditës së familjes Qiriazi, eksperiencës jetësore dhe praktike në Rumani, Turqi, dhe SHBA, si dhe angazhimit aktiv të motrave Qiriazi në zgjidhjen e çështjeve kombëtare shqiptare. Duke qënë një ndër institucionet e para arsimore në Shqipërinë e viteve 1920-1930, roli dhe kontributi i Institutit Femëror Kyria është vlerësuar edhe nga Pandeli Evangjeli, një ndër kryeministrat shqiptarë të kohës.

PERIUDHA E MBRETËRISE SË ZOGUT (1928-1939)

Goditjen e parë, themeluesit e Institutit Femëror Kyrias, njërit prej institucioneve të para brënda sistemit arsimor shqiptar të sapolindur, e morën në 1933, kur qeveria e Zogut nxorri vendimin për mbylljen e saj. Nën justifikimin e ndërtimit të një sistemi arsimor kombëtar, përmirësimin e programeve arsimore, riorganizimin e arsimit për gruan shqiptare, dhe hapjen e shkollave të reja, ligji i Ministrisë së Arsimit i hartuar në 1928 parashikonte ndërmarrjen e një reforme dhe kryerjen e ndryshime në programet shkollore, arsimin professional, dhe sistemin arsimor shkollor fillor dhe të mesëm. Vendimi parashikonte mbylljen e shkollave private e fetare. Në Prill 1933, Parlamenti e shpalli arsimin e shtetasve shqiptarë si të drejtë ekskluzive e shtetit, të detyrueshëm, dhe falas. Ndonëse ligji lejonte veprimtarinë e institucioneve private nëse këto bashkëpunonin me shtetin Instituti Femëror Kyrias nuk iu dha mundësia të vazhdonte punën e vet por u mbyll.

PERIUDHA E PUSHTIMIT FASHIST (1939-1944)

Deri në vitin 1939, pavarësisht ftesave dhe tundimeve të kabineteve qeveritare të Mbretit Zog për të punuar në Ministrinë e Arsimit, motrat Qiriazi preferuan të vazhdonin punën e tyre si mësuesese. Edhe pse në vitin 1941 Kristo Dako vdiq, godina e Institutit Kyrias në Kodër Kamëz, vazhdoi të ishte e hapur për këdo që dëshëronte të kontribuonte për zhvillimin e arsimit shqiptar. Por me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste Motrat Qiriazi, të njohura për veprimtarinë e tyre patriotike në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë, dhe po ashtu kundërshtare të pushtimit Italian të Shqipërisë, u përballën me sulme nga propaganda italofile. Në një situatë të tillë veprimtaria e institutit të tyre arriti të mbijetojë vetëm falë ndihmës së nacionalistëve shqiptarë.

RREGJIMI KOMUNIST (1945-1991)

Goditjen e dytë, motrat Qiriazi dhe Institutit Femëror Kyrias e morën pas vendosjes në 1945 të rregjimit komunist. Në vitin 1944 instituti u mbyll për të mos u çelur më për 60 vjet. Ndonëse Motrat Qiriazi kishin kundërshtuar pushtimin fashist, rregjimi i ri komunist nuk harroi as shërbimet e z. Dako ndaj Zogut, duke pranuar të bëhej edhe Ministër i Arsimit, as afërsinë e Kristo Dakos, Sevasti Qiriazit, dhe Parashqevi Qiriazit me mënyrën amerikane të vështruarit të qeverisjes dhe të drejtësisë, as raportet miqësore të Motrave Qiriazi me qarqet nacionaliste gjatë viteve të pushtimit fashist. Sevasti Qiriazi shihej si një agjente amerikane.

Ndër veprimet e para që rregjimi komunist bëri ishte konfiskimi i mjediseve dhe mjeteve të Institutit dhe përdorimi i tyre më vonë si zyra dhe auditorë për Institutin Bujqësor të Kamzës, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ndonëse rregjimi i ri kishte nevojë për kuadro të pregatitur dhe me përvojë në fushën e arsimit, Sevasti Qiriazi, themeluesja e shkollës së parë të vashave në 1891 në Korçë, nuk u thirr as në zyrën e thjeshtë të një nënpunësi të shkollave të Tiranës. Dhurata që rregjimi komunist iu dha atyre në këmbim të veprimtarisë së tyre të hershme patriotike, kontributit në fushën e arsimit, dhe eksperiencës së tyre arsimore dhe jetësore në SHBA ishte lënia në hije, përndjekja, dhunimi, dhe burgosja jo vetëm e Motrave Qiriazi por edhe fëmijëve të tyre, Aleksandrit dhe Gjergjit. Pasoja e një trajtimi të tillë, ishte varja e vetes në qelinë e burgut të Gjergji Qiriazit dhe vdekja e Sevasti Qiriazit në 1949.

Ndonëse vite e vite më pas rregjimi i akordoi Sevasti Qiriazit titullin “Mësuese e Popullit”, njohja e kontributit të tyre, nuk u bë sepse rregjimi komunist ndërroi mëndje dhe vendosi të bënte autokritikë dhe “korrigjim” i trajtimit kriminal të familjes Qiriazi. Dhënia e titullit ishte rezultat i faktit që në historinë mjaft të shkurtër të zhvillimit të arsimit shqiptar, që fillon realisht vetëm në vitet 20-të të shekullit të 20-të, emrat e motrave Qiriazi, gjurmët dhe vepra konkrete që ato kishin lënë në arsim përgjatë gjithë jetës së tyre, shfaqeshin ngado dhe ishte e pamundur të zhdukeshin. Zhvillimi i arsimit shqiptar nuk mund të kuptohet pa to, ai asociohet me emrin dhe veprën e tyre dhe të familjes Qiriazi.

SHKOLLA LARTW JOPUBLIKE “SEVASTI DHE PARASHQEVI QIRIAZI (2006-2013)

Në vitin 2006, rreth 16 vjet pas hapjes së Shqipërisë drejt një sistemi qeverisje dhe shoqërie demokratike, Robert Dako, trashëgimtari i familjes Qiriazi, mori iniciativën dhe vendosi të ringrëjë edhe njëherë famën dhe emrin e institucionit të themeluar nga 80 vite më parë nga motrat Qiriazi. Ai vendosi të rihapë ish Institutin Femëror Qiriazi në të njëjtën ndërtesë dhe haptësirë në të cilat u ngrit dhe funksionoi në vitet 1920-të, nën emrin Shkolla e Lartë JoPublike “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”. Shkolla u konceptua si një institucion i arsimit të lartë që kombinonte mësimdhënien me veprimtarinë dhe kërkimin shkencor dhe ofronte studime në Drejtësi dhe Ekonomi. Përgjatë shtatë viteve aktivitet, SHLJPSPQ arriti të kishte një numër të konsiderueshëm studentësh dhe gjithashtu edhe një orientim nga parimet amerikane të menaxhimit dhe funksionimit akademik dhe institucional të institucionit.

Goditjen e tretë Kolegji Qiriazi, si institucion privat i arsimit të lartë e mori në vitin 2013, vetëm shtatë vite pas rihapjes së tij. Ashtu si edhe në kohën e Zogut, mbyllja u justifikua dhe krye në kuadër të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare e radhës në arsimin e lartë. Në shtatë vite të funksionimit të tij si institucion privat në arsimin e lartë, Kolegji Qiriazi iu desh të përballej me praktikat e trajtimit dhe vlerësimit institucional dhe akademik të institucioneve arsimore universitare përmes klientelizmit politik; ju desh të përballej gjithashtu edhe me një numër problemesh financiare që erdhën në rritje. Pika kulmore e një situate të tillë ishte vendimin në vitin 2013 i Ministrisë së Arsimit për të pezulluar vazhdimin e aktivitetit mësimdhënës të institucionit. Pas shtatë vitesh punë, Kolegji Qiriazi iu desh te mbyllte edhe njëherë dyert e tij.

KOLEGJI UNIVERSITAR QIRIAZI (2016-SOT)

Që nga viti 2016 ish Instituti Femëror Kyrias, dhe ish Kolegji Qiriazi rihapi dyert si “Kolegji Universitar Qiriazi”. Më iniciativën dhe investimin e Grupit Investues “Uldedaj”, Kolegji Universitar Qiriazi hapi edhe njëherë dyert për edukimin universitar. Në angazhimin e tij për rivënien në funksionim të institucionit, Grupi “Uldedaj” është nisur jo vetëm nga eksperienca praktike dhe lidhjet e ngushta të investitorëve kryesorë në fushën e arsimit dhe veprimtarisë akademike, por edhe nga dëshira për të mbajtur gjallë emrin dhe traditën e Motrave Qiriazi dhe institucionit të themeluar prej tyre.

Nën dritën e pasurimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të traditës arsimore Qiriazi, Kolegji Universitar Qiriazi sot synon të mbështetet në modelet më të mira të funksionimit të institucioneve universitare në arsimin e lartë. Misioni tij mbetet ofrimi i një arsimimi cilësor në nivelet e arsimit Profesional, Bachelor dhe Master. Baza e realizimi të këtij misioni mbetet kombinimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor dhe vënia në epiqëndër të vëmëndjes e studentit dhe të ardhmes së tij.

Në vazhdën e traditës më të mirë të Familjes Qiriazi, Kolegji Universitar Qiriazi funksionon mbi vlerat e integritetit, respektit, pergjegjshmërisë, cilësisë akademike, transparencës, dhe lirisë akademike. Po në të njëjtën frymë, strategjia e Kolegjit Universitar Qiriazi është rritja e cilësisë akademike, e bashkëpunimit me universitete të tjerë brënda dhe jashtë Shqipërisë, e mobilitetit të studentëve dhe stafit të saj. Si institucion i arsimit të lartë i akredituar nga ASCAL, Kolegji Universitar Qiriazi synon të ofrojë arsim dhe diploma jo vetëm në fushat e drejtësisë dhe ekonomisë por edhe në degë të tjera. Zhvillimi dhe zgjerimi i fushave të veprimtarisë së tij akademike jo vetëm do të pasurojë trashëgiminë e Familjes Qiriazi por edhe shëndrrojë këtë traditë në një burim të përhershëm të cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor në Shqipëri.

Kristo Anastas Dako (1876-1941)
historiku - kristo-dako.png

Fakte të Përgjithshme:

  • Vendlindja: Korçë
  • Statusi Familjar: Martuar me Sevasti Qiriazi

Femije, Gjergji Qiriazi (mjek), Aleksander Qiriazi inxhinier mekanik)

Arsimimi

  • Master në Filozofi, SHBA
  • Bachelor në Matematikë, Bukuresht, Rumani
  • Arsim i Mesëm, Bukuresht, Rumani
  • Arsim Fillor, Korçë, Shqipëri

Veprimtari ne Arsim:

  • Minister i Arsimit
  • Administrator, Instituti Femëror Kyrias, Kodër Kamëz, Tiranë, Shqipëri
  • Administrator, Shkolla e Vashave Korçë
  • Drejtor, Shkolla Normale e Elbasanit

Veprimtari Publicistike

Revista  Shqiptare

  • Ylli i Mëngjesit
  • Albania
  • Dielli

Shtypi i huaj

  • The Orient
  • The Times

Libra të Botuar

  • “Cilët janë shqiptarët”;
  • “Shqipëria, çelesi i Lindjes se Afërme”;
  • “Shënime nga Jeta dhe vepra e N.M. tij, Zogut I, Mbret i Shqiptarëve”;
  • “Mësimet e para të Gjeometrisë elementare”

 

Veprimtari Politike

Aktivitet Ndërkombëtar

  • pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris
  • takim me Presidentin e SHBA, Wilson

Drejtues & Antar në Shoqata dhe Klube Shqiptare

  • shoqata “Shpresa”
  • shoqata “Dituria”;
  • shoqata “Djalëria Shqiptare”;
  • klubi “Bashkimi”;
  • klubi “Vëllazeria”;
  • klubi “Dielli i Shqipërise”.
Sevasti Dhimitër Qiriazi (Dako) (1871-1949)
historiku - sevasti-qiriazi.png

Fakte të Përgjithshme

  • Vendlindja: Peras, Kolonjë, Shqipëri
  • Gjendja Familjare martuar me Kristo Dako

femije, Gjergji Qiriazi (mjek), Aleksander Qiriazi inxhinier mekanik)

Arsimimi

  • Robert College (institucion amerikan), Konstantinopojë, Turqi

 

Veprimtari në Arsim

  • Mësuese, Shkolla e Vashave, Korçë

 

Veprimtari Publicistike

Revista Shqiptare

  • “Ylli i Mëngjesit”

Tekste Shkollore:

  • Historia e Kohës së Sotme
  • Historia e Kohës së Re
  • Historia e Mesjetës
  • Historia e Lashtësisë
  • Gramatikë Elementare për Shkollat Fillore
  • Shkronjëtore e Gjuhës shqipe

 

Veprimtari Politike

  • Kongresi i Elbasanit, anëtare e Komisionit për Arsimin për shqyrtimin e teksteve shkollore.
  • Kongresi i Manastirit, Antare e Grupit Themelues të alfabetit shqip me gërma latine.
Parashqevi Dhimitër Qiriazi (1887-1971)
historiku - parashqevi-qiriazi.png

Fakte të Përgjithshme

  • Vendlindja:                         Peras, Kolonjë, Shqipëri

 

Arsimimi:

  • Master në Edukim, SHBA
  • Bachelor, “Ulmins College”, Stamboll, Turqi

 

Veprimtari në Arsim

  • Drejtore, Mesuese, Instituti Femëror Kyrias, Tiranë, Shqipëri
  • Drejtore, Shkolla e Vashave Korçë.
  • Organizatore e Shkollave të mbrëmjes në Shqipërinë jugore

 

Veprimtari Publicistike

  • Periodiku “Ylli i mëngjesit” Boston, USA
  • Abetare për shkollat e para
  • Himni i Alfabetit Shqip

 

Veprimtari Politike

  • Konferenca e Paqes në Paris, përfaqësuese e delegacionit të bashkësisë shqiptaro-amerikane
  • Drejtuese e shoqatës “Miqtë e Shqipërisë së lirë”, USA
  • Shoqata “Ylli i Mëngjesit”, SHBA
  • Kongresi i Manastirit, pjesëmarrëse.